Home KULTURË Në rajon ka interes për librin, mbështetje nga institucionet

Libri është një burim themelor i dijes njerëzore, por edhe udhëzues masiv i komunikimit. Sa ka interes për leximin e librave në rajon dhe sa projekte letrare zbatuan institucionet vitin e kaluar mbi botimin e librave dhe shkrimeve?

Institucionet në Shqipëri zhvillojnë politika për nxitjen e leximit

Ministria e Kulturës e Shqipërisë për të nxitur leximin në tetor të vitit 2016 organizoi Fushatën Kombëtare të Leximit, nën moton “Takohemi për një Libër”, që kishte si synim të orientojë shoqërinë, në veçanti brezin e ri, drejt kulturës së të lexuarit. Sipas ministrisë në këtë fushatë u përfshinë mbi 8 mijë lexues, ndërsa institucioni në fjalë ka hartuar një program specifik dhe politika për nxitjen e kulturës së leximit.

Sipas këtij institucioni, gjatë vitit 2016 bibliotekat publike në Tiranë u pasuruan me 1.200 libra të rinj. Ministria e Kulturës, gjithashtu ka realizuar edhe një anketim në gjithë territorin e vendit për gjendjen ku ndodhen bibliotekat publike, duke konstatuar se “kanë gjetur një situatë të harruar si nga kushtet fizike, ashtu dhe nga pasurimi i tyre”.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Institut të Statistikave që i referohen Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, në periudhën 2013-2015 numri i abonentëve në Bibliotekën Kombëtare ka shënuar rritje, ku në vitin 2015 arrin në 6.382, ndërsa numri i frekuentuesve në sallat e leximit gjatë këtij viti ka shënuar shifrën 207.924.

Ndërkohë, studimet e fundit tregojnë se 13 për qind e shqiptarëve lexojnë më pak se 3 libra në vit, ndërsa 18 për qind janë personat që lexojnë 6-8 libra në vit. Studimet konstatojnë se përdorimi i shpeshtë i internetit ka sjellë uljen e numrit të të rinjve që lexojnë librat.

Në Kosovë lexohen libra profesional të fushave të ndryshme

Shefja e departamentit të informacionit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Zize Kraja, për AA bëri të ditur se në Kosovë, përkatësisht në Bibliotekën Kombëtare më tepër lexohen librat profesional të fushave të ndryshme. Duke marrë parasysh se biblioteka më tepër frekuentohet nga studentët, Kraja thotë se koha që më së shumti lexohen libra dhe frekuentohet biblioteka është koha e provimeve të vitit akademik. Ajo thekson se përveç studentëve, biblioteka vizitohet dhe nga qytetarët, por në numër më të vogël.

Kraja shprehet se nuk kanë të dhëna të sakta në lidhje me atë se sa libra lexojnë në muaj qytetarët e Kosovës.

Sipas saj, niveli i leximit të librave nuk duhet të krahasohet vetëm me periudhën e ish-Jugosllavisë, duke theksuar se për shkak të teknologjisë dhe internetit në përgjithësi në botë ka një rënie të lexueshmërisë.

Ajo shton se Biblioteka Kombëtare posedon rreth 300 mijë tituj librash të fushave të ndryshme në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.

Nga ana tjetër, përgjegjës i Sektorit të Pasurimit të Koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare, Besnik Gashi, për AA bëri të ditur se gjatë vitit 2016 në bibliotekë kanë hyrë 2.038 tituj të librave. Ai po ashtu njoftoi se sipas të dhënave që posedojnë, në vitin 2016 në Kosovë janë botuar 1.304 libra.

Në Maqedoni bibliotekat kanë dyfish më shumë libra nga banorët

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në mbarë territorin e Maqedonisë gjithsej ka 174 biblioteka, prej të cilave më e madhe është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup. Ajo ka pak më shumë se një milion tituj të ndryshëm të librave, ndërsa nga ato ka pak më shumë se 1.100.000 kopje. Sipas statistikave, biblioteka ka 154.903 anëtarë aktiv, por ky numër vazhdimisht ndryshon, pasi që çdo ditë regjistrohen ose ç’regjistrohen anëtarë të bibliotekës.

Të gjitha bibliotekat në Maqedoni nuk ofrojnë hapësirë për lexim, që do të thotë se në disa prej tyre mund vetëm të huazohet libri, por jo edhe të lexohet në bibliotekë. Në total, sipas të dhënave nga muaji gusht i vitit 2015, në vend ka 3.537 vende në biblioteka.

Në mediat elektronike të Maqedonisë, në muajin gusht të vitit 2015 u publikua se në Maqedoni ka dy herë më shumë libra se sa ka vendi lexues. Sipas këtij publikimi, në bibliotekat e Maqedonisë ka një numër të madh të titujve të ndryshëm të librave, edhe atë 2.787.012 tituj, ndërsa numri total i libra arrin edhe deri në 5.524.822.

Sipas Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, në vitin 2016 në fushën botuese përmes kësaj ministrie janë realizuar 425 projekte, prej të cilave 86 ishin për gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për 332 publikime, 37 revista, 26 edicione elektronik dhe 35 projekte letrare.

Hulumtimet e fundit tregojnë se në Maqedoni ekziston interesi për librin. Rreth interesit në leximin e librit, klubi “Matica” nga Shkupi në periudhën qershor-dhjetor të vitit 2016 kreu një hulumtim në të cilin u përfshin 947 të anketuar. Ky hulumtim tregon se qytetarët e Maqedonisë mesatarisht në muaj lexojnë nga dy libra, si dhe se qytetarët e këtij vendi kanë vetëdije të lartë dhe respekt ndaj librit, ndërkohë edhe ndjekin trendet botërore të tregut letrar.