Home Lajme Nëna thotë se 2 vjeçari mori infeksion në Spitalin e Prizrenit nga...

Nëna thotë se 2 vjeçari mori infeksion në Spitalin e Prizrenit nga flasteri që ia vendosën…!

Të enjtën e kaluar në orën 22:00, për shkak se djali i saj 2 vjeçar kishte temperaturë të lartë nga gripi sezonal, u drejtua për ndihmë mjekësore tek Spitali Rajonal në Prizren, gjegjësisht në pediatri.

Ajo është pranuar në spital po atë natë, ku ka qëndruar deri sot (e mërkurë), por nëna T.O u përballë edhe me diçka tjetër, djalit të saj iu shfaq një infeksion në dorë, derisa ajo pretendon se kjo ka ardhë si pasojë e flasterit që motrat ia kanë vendos bashkë me kanillë vogëlushit.

“Unë sot jam liru nga spitali. Jam duke e dërguar djalin tek dermatolu se dorën e ka keq, s’ka përmirsim. Edhe nuk ish rasti i parë i djalit tim, veçse janë mësu me i tejkalu këto raste se s’po bëjmë za askush.

Nuk më kanë pyet asgjë dhe nuk më kanë rekomandu me dal me ble atë flaster që ma murr në qafë djalin. Kanillën ja kanë qit menjëherë atë natë edhe deri dje nuk ja kanë ndërru, veç kur e ka përfund terapinë”, rrëfen ajo për Indeksonline.

Nëna e dy vjeçarit thotë se pasi motra ia ka larguar kanillën, e ka parë gjendjen e djalit të saj, ku i është skuqur krejtësisht, gjendje e cila e ka tmerruar atë.

“Edhe më kanë thënë se nuk është asgjë, dhe se është nga flasteri, që për to ishte e njohur dhe e zakontë. Më kanë rekomanduar të ia bëj me lecka të lagura. E kam bërë të madhe në pediatri se gjendja e djalit tim nuk ka qenë sa për lecka.

Më pas më kanë thënë të ia lyej me acid borik, nuk me kanë përshkru asnjë medikament e as që më kanë marrë parasysh. Kam kërkuar ndihmë nëpër barnatore me videon e djalit duke kërkuar ilaq. Farmacistët në dy-tri barnatore nuk më kanë lejuar të ia pastrojë me acid borik, po më kanë thënë fasha me ilaq dhe kam vazhdu me mjeku vet.

Ka pas rast që kam bisedu me nënat aty edhe disa kishin pas fat që i kanë informu motrat dhe kanë dalë i kanë ble flasterat vet. Kjo është ajo që më dhemb mua, se lëre më që iu ka dhimt goja me më thanë shko blej flaster, po edhe pasi ka ndodhë as jod nuk ishin në gjendje me më siguru në spital”.

Indeksonline ka drejtuar disa pyetje tek Drejtoria e Shëndetësisë se Prizrenit dhe tek Spitali Rajonal i kësaj komune në lidhje me flasterët që përdoren në institucionet shëndetësore.

Duke mos treguar për llojin e këtyre flasterëve, Shefajet Berisha, zyrtar për komunikim në Spitalin e Prizrenit, ka thënë se të njëjtit kontraktohen nga SHSKUK.

“Nëse e keni fjalën për flastera/leukoplast , ne përdorim atë që e marrim të kontraktuar nga SHSKUK.

Reaksionet alergjike mund të jenë për të gjithë përbërësit ushqimor, barna dhe materiale tjera. Anamneza është kompetencë e mjekut dhe infermierit dhe ata punën e tyre e bëjnë në bazë të doktrinave mjekësore, etike dhe profesionale”, ka thënë ai.

Derisa i njëjtit është shprehur se në Spitalin e Prizrenit, deri më tani nuk është regjistruar ndonjë rast infeksioni, por mund të ketë patur ndonjë reaksion lokal alergjik si pasojë e flasterëve..