Home Lajme KOSOVË Nga korriku pa tarifa për roaming

Nga data 1 korrik 2021, qytetarët e Kosovës, gjatë qëndrimit në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të paguajnë asnjë shtesë për shërbimet e rregulluara të roamingut në kuadër të telekomunikimit, siç janë thirrjet e realizuara ose të pranuara dhe mesazhet, thuhet në një përgjigjje të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP).

Kjo do të ndodhë në bazë të një marrëveshjeje për roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë). Faza e parë e zbatimit të marrëveshjes ka filluar në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80 për qind, kurse faza e dytë, apo eliminimi i tërësishëm i tarifave, është paralajmëruar se do të zbatohet me 1 korrik 2021.

Tarifa e roamingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile.

ARKEP: Shpejt përmbyllet legjislacioni i nevojshëm për fillimin e zbatimit të fazës së dytë
Zyrtarë të ARKEP-it kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se “nuk ka shtyrje të afateve të parapara për zbatimin e marrëveshjes së romingut”, kështu që ajo pritet të fillojë të zbatohet në afatin e caktuar.

“Më 14 shkurt 2021 ka përfunduar konsultimi publik i draft -rregullores për zbatimin e politikës së drejtë dhe për metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave të roamingut me pakicë për marrëveshjen e romingut në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo rregullore pritet të miratohet së shpejti, me çka do të përmbyllet legjislacioni i nevojshëm për fillimin e zbatimit të fazës së dytë, respektivisht heqjen e tarifave të romingut nga data 1 Korrik 2021” thuhet në përgjigjjen e këtij institucioni.