Home Lajme BOTË Nga sot hyn në fuqi memorandumi për “zonat jokonfliktuale” në Siri

Nga sot hyn në fuqi memorandumi për formimin e zonave jokonfliktuale në Siri, i cili u nënshkrua nga shtetet garantuese, Turqia, Rusia dhe Irani, në kuadër të bisedimeve për Sirinë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, ndërsa 3 vendet do të fillojnë punimet mbi detajet e kornizës së memorandumit.

Në kuadër të memorandumit, do të formohen katër “zona jokonfliktuale” në vendet ku luftimet mes opozitarëve dhe regjimit në Siri janë më të ashpra, kurse në kufijtë e këtyre zonave, nga ana tjetër, do të krijohen “zona të sigurisë”.

Në përgjithësi, korniza për krijimin e këtyre katër zonave është përcaktuar në atë mënyrë që do të përfshijë qytetin e Idlibit dhe disa rajone të qyteteve fqinje (Latakia, Hama dhe Halep), disa rajone të caktuara në veri të qytetit të Halepit, Gutën Lindore në Damask dhe disa rajone në jug të Sirisë (prefekturat Dera dhe Kunejtra).

Grupi i Punimeve të Përbashkëta që do të krijohet brenda dy javëve do të përcaktojë kufijtë përfundimtarë të zonave jokonfliktuale dhe zonat e sigurisë që do të krijohen përgjatë kufijve.

Në zonat jokonfliktuale do të ndërpritet çdo sulm i armatosur mes regjimit të Sirisë dhe grupeve opozitare që janë apo do të jenë pjesë e armëpushimit, përfshirë edhe ato të njësive ajrore.

Sipas memorandumit, lufta kundër Al Kaidës dhe DEASH-it do të vazhdojë brenda dhe jashtë zonave jokonfliktuale.

Ndërkaq, zonat e sigurisë do të krijohen përgjatë kufijve të zonave jokonfliktuale me qëllim parandalimin e luftimeve dhe incidenteve të ndërsjella mes palëve ndërluftuese.

Zonat e sigurisë, menaxhimin e të cilave do ta sigurojnë njësi të shteteve garantuese, do të jenë të vlefshme për gjashtë muaj në fazën e parë.

Në zonat e sigurisë do të ketë po ashtu “pika kontrolli” që të sigurohet kalimi i civilëve, dërgimi i ndihmave dhe aktivitet ekonomike, si dhe “pika monitorimi” për të siguruar që armëpushimi respektohet mes palëve.

Edhe menaxhimin e këtyre pikave të kontrollit dhe monitorimit do ta kenë përsipër njësi të shteteve garantuese në koordinim. Në raste nevojash, me koordinim të shteteve garantuese, mund të pozicionohen edhe palë të treta.

Afati prej gjashtë muajve të zonave jokoflktuale dhe atyre të sigurisë si masa të përkohshme, do të zgjatet automatikisht në rast dakordimi të garantuesve.

Po ashtu, do të mundësohet që ndihmat humanitare në zonat jokonfliktuale të dërgohen sa më shpejt.

Në këtë drejtim, do të krijohen kushtet e nevojshme për plotësimin e nevojave themelore të civilëve dhe dërgimin e ndihmave mjekësore, si dhe do të merren masa për rifunksionimin e infrastrukturës për distribuimin e ujit dhe rrymës elektrike.

Gjithashtu, do të krijohen kushte të përshtatshme që refugjatët dhe të dëbuarit brenda vendit të kthehen në shtëpitë e tyre.

Sipas memorandumit, shtetet garantuese deri më 4 qershor do të hedhin hapat e nevojshëm për plotësimin e përgatitjeve për hartat e zonave jokonfliktuale dhe atyre të sigurisë dhe për diferencimin e opozitarëve të armatosur nga grupet terroriste.

KULTURË

0 2406

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...