Home Lajme KOSOVË Parregullsi të shumta në Komunën e Prizrenit

Shumë shkelje e parregullsi në Komunën e Prizrenit ka gjetur Zyra e Kombëtare e Auditorit, për vitin 2016-të. Raporti i auditorit ka nxjerrë në pah se komuna e udhëhequr nga Ramadan Muja, pa i respektuar procedurat ligjore ka dhënë me qira pronat e Komunës.

“Komuna për pronat e dhëna me qira për 2016 kishte planifikuar që të realizoj 1,350,000 euro, ndërsa kishte arritur të inkasojë 501,328 euro apo 37%. Në vitin 2016 ishin bërë kontrata për shfrytëzimin e pronës komunale me çmim prej 1 euro në muaj për 8 lokale disa partive politike, duke mos organizuar ankande publike siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale. Këto lokale ishin dhënë duke u bazuar në vendimin e asamblesë komunale që ishte nxjerrë në vitin 2005. Po ashtu, edhe 8 lokale tjera dhe një objekt pronë e komunës nuk ishte organizuar ankand publik nga komuna, përderisa ato shfrytëzohen nga disa Organizata Jo Qeveritare dhe parti politike pa kontrata. “, thuhet në raportin e auditorit.

Po ashtu në këtë rast sipas raportit, në dy raste qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013, dhe këta shfrytëzues vazhdojnë të ngarkohen me qira vetëm me një shkresë të Drejtorisë së shërbimeve publike të datës 10.11.2014. Këta obligues i kanë borxh komunës shumën 285,834 euro.

Në një rast tjetër, sipas auditorit,  komuna ka kontratë që nga viti 2009 me një operator për shfrytëzimin e tregut të gjelbër me qira mujore prej 180 euro në muaj. Ndërsa auditori, ka vërejtur se operatori ekonomik nuk ka kryer obligimet sipas kontratës dhe nuk ka paguar asnjëherë obligimin ndaj komunës. Borxhi total kishte arritur në 14,580 euro.

Më tutje, për rastet e përmendura, komuna nuk kishte organizuar ankande publike edhe pse Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale kishte hyrë në fuqi në vitin 2012.

Gjithashtu, në dy raste komuna me kontratë ka dhënë në shfrytëzim lokalet afariste, mirëpo qiramarrësit nuk i kryejnë obligimet sipas kontratës dhe borxhi i tyre arrin 3,534 euro.

Gjetje e auditorit është konstatuar edhe nënshkrimi i kontratave me operatorët ekonomik pa procedura të prokurimit.

“Komuna kishte lidhur kontratë për emetimin e seancave të kuvendit komunal me vlerë 150 euro për seancë, duke mos respektuar procedurat e prokurimit. Nënshkrimi i kontratës ishte bërë direkt me OE pa udhëhequr procedurat e prokurimit paraprakisht. Pas këshillave tona në fazën e ndërmjetme, komuna menjëherë e ka ndërprerë kontratën.

Kemi vërejtur se në 22 raste Drejtoria e arsimit nuk i protokollon faturat e pranuara ashtu siç kërkohet me nenin 24 të Rregullës Financiare 01/2013 Për Shpenzimin e parasë publike. Në tri raste komuna ka hyrë në obligime pa i zotuar të gjitha mjetet e nevojshme. Vlera këtyre kontratave të nënshkruara ishte 89,029 euro, ndërsa zotimi ishte bërë vetëm 11,000 euro.

Po ashtu audiroti ka gjetur se Komuna kishte lidhur 3 kontrata publike kornizë për punë me çmim për njësi për mirëmbajtje për 36 muaj (Instalimi i ndriçimit publik, mirëmbajtja e rrugëve lokale me kubëza, intervenimi në infrastrukturë në rast të fatkeqësive natyrore) jo në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) duke mos përcaktuar në dosje të tenderit sasinë indikative ose vlerën e parashikuar të kontratës.

Sipas nenit 38 të LPP “Autoriteti kontraktues do të specifikojë në dosjen e tenderit vlerën ose sasinë e kontratës si një prag apo një tavan dhe do të lejojë devijim prej tij duke deklaruar gjithashtu përqindjen e mospërputhjes së lejuar. Mospërputhja e lejuar nuk mund të jetë më e lartë se plus/minus tridhjetë përqind (30%)”. Mos përcaktimi i sasive ose vlerës së parashikuar në kontratë do ta bëjë të pamundur për të përcaktuar pragun e devijimit të lejuar me ligj.

“Ne kemi vërejtur se te kontratat ‘’Renovimi i Kulmit në QKMF’’ me vlerë 42,220 euro komuna nuk kishte bërë hartimin e projektit ekzekutiv. Neni 28.10 i LPP-së për specifikimet teknike për kontratat për punë ndër të tjera thekson se ’’Asnjë Autoriteti Kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit, pa bashkëngjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit’’, thuhet në raportin e auditorit.

Po ashtu auditori ka identifikuar se Komuna e Prizrenit,  ne katër fatura të vitit 2016, një faturë e muajit maj, dy fatura të muajit nëntor dhe një faturë e muajit dhjetor me vlerë totale 51,594 euro, që nuk ishin prezantuara në raportin e obligimeve të papaguara dhe në PVF-të e vitit 2016.

Komuna e Prizrenit, sipas auditorit  nuk ka arritur të inkasoj as birxhet. Borxhet totale ndaj komunës, në fund të vitit 2016 ishin 15,567,347 euro. Borxhi kryesor mbetet inkasimi i tatimit në pronë në vlerë 6,808,003 euro, pastaj taksat nga veprimtaritë e biznesit 5,753,532 euro, të hyrat nga mbledhja dhe menaxhimi i mbeturinave 1,859,235 euro nga dhënia me qira e tregjeve 455,577 euro, si dhe tarifat tjera prej 691,000 euro.

Krahasuar me vitin e kaluar (14,013,000 euro), llogaritë e arkëtueshme ishin rritur për 1,554,347 euro. Kjo është si pasojë e mos vendosjes së mekanizmave adekuat të inkasimit nga ana e komunës. /KosovaPost.net/

KULTURË

0 496

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...