Home Lajme KOSOVË Për 10 vjet nga Kosova e Shqipëria kanë migruar afër 1.8 milionë...

Për 10 vjet nga Kosova e Shqipëria kanë migruar afër 1.8 milionë njerëz

Një milion e shtatëqindeshtatëdhjetë e nëntë mijë e treqindepesëdhjetetre (1,779,353) qytetarë janë larguar nga Shqipëria e Kosova në periudhën 2008-2018, duke i bërë kështu vendet e para në rajon për migrim.

Sipas një hulumtimi nga Instituti EPIK, me 1,249,706 (44%) qytetarë listës së migrimit i prin Shqipëria, për t’u renditur e dyta Kosova me 529.647 (30%) qytetarë.

Sipas tyre, viteve të fundit diskursi publik në Ballkanin Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian ka qenë i dominuar me raportimet dhe debatin publik për shkallën e migrimit të qytetarëve nga rajoni i Ballkanit.

Sipas hulumtimit të Institutit EPIK, gjatë periudhës 2008-2018, 2,979,766 qytetarë të Ballkanit Perëndimor kanë emigruar në shtetet e BE-së.

Nga kjo shifër, për këtë periudhë, 1,599,971 apo 54% nga ta kanë migruar në mënyrë të ligjshme, duke fituar lejen e qëndrimit; 808,030 apo 27% janë zënë ilegalisht të pranishëm në BE; ndërsa 571,765 qytetarë apo 19% e tyre kanë kërkuar azil.

Hulumtimi thotë se 171,690 persona nga Kosova kanë kërkuar për herë të parë azil në vendet e Bashkimi Evropian për periudhën 2008-2018. Për të njëjtën periudhë, 141,900 qytetarë kanë qëndruar në mënyrë ilegale dhe 216,057 kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë.

EPIK-u thotë se gjatë periudhës 2008-2018, 451,015 qytetarë të Shqipërisë u zunë ilegalisht të pranishëm në shtetet e BE-së.

“Kjo është më shumë se numri i të gjithë qytetarëve nga të gjitha vendet e rajonit marrë së bashku. Me fjalë të tjera, 16% e popullsisë së Shqipërisë është zënë ilegalisht në BE gjatë kësaj periudhe. Shqipëria ka udhëhequr rajonin po ashtu me numrin e qytetarëve që kanë fituar lejen e qëndrimit në BE. 622,171 qytetarë të Shqipërisë fituan lejen e qëndrimit gjatë 2008-2018”, ka thënë Instituti EPIK në hulumtimin e tyre, ndërsa ka theksuar se në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, 39% e qytetarëve fituan leje qëndrim në BE.

Po ashtu, sipas hulumtimit, Shqipëria ka udhëhequr rajonin në numrin e qytetarëve të cilëve iu është refuzuar hyrja në BE. Gjatë periudhës 2008-2018, nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, 332,470 qytetarëve iu është refuzuar hyrja në BE. Më shumë se gjysma e tyre, apo 170,450, ishin qytetarë të Shqipërisë.

Ndërkaq vendi me shkallën më të vogël të migrimit është Mali i Zi me 36,089 qytetarë apo 6% të popullatës.

“Fluksi i migrimit të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor ka arritur kulmin në vitin 2015, me 425,385 qytetarë të larguar drejt BE-së. Përkundër rënies së fluksit gjatë vitit 2016 dhe 2017, ai ka shënuar përsëri rritje në vitin 2018, me 325,250 qytetarë të emigruar në BE”, thuhet tutje në hulumtimin e EPIK-ut.

Sa u përket vendeve të BE-së të cilat kanë pranuar më së shumti azilkërkues, prin Gjermania me 83,880 sosh, e ndjekur nga Franca me 41,885.

Ndërkaq vendet të cilat prijnë me qytetarë të zënë ilegalisht janë Greqia me 280,850 dhe Gjermania me 52,220.

“Sa i përket numrit të lejeve të qëndrimit të lëshuara për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, prin Italia me 308,252 sosh dhe Greqia me 224,129. Sa u përket vendeve të BE-së, hyrja në të cilët është refuzuar, prin Greqia me 75,540 dhe Italia me 31,230”, thuhet në hulumtim.

KULTURË

0 2772

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...