Home Lajme BOTË Përfundon raundi i pestë i bisedimeve për Sirinë, përgatitje për tranzicion politik

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë Staffan de Mistura tha se ka përfunduar raundi i pestë i bisedimeve të paqes për Sirinë, duke theksuar se negociatat e fundit në Gjenevë ishin një lloj i përgatitjes për tranzicion politik në Siri.

Në ditën e fundit të raundit të pestë të bisedimeve në Gjenevë, që filloi më 22 mars, de Mistura ka zhvilluar takime të ndara me delegacionin e regjimit sirian dhe opozitës.

De Mistura pas takimit në konferencën për media deklaroi se bisedimet kanë rrjedhur në një atmosferë pozitive dhe konstruktive.

“Pavarësisht vështirësive serioze në terren, askush nuk është tërhequr nga këto negociata. Në raundin e mëparshëm kam thënë se treni po pret i gatshëm në stacion. Tani mund të them se treni u nis nga stacioni. Ngadalë, por po përparon”, tha De Mistura.

Ai shtoi se palët janë të gatshme edhe për raundin e gjashtë të bisedimeve të paqes, duke theksuar se gjatë pushimit deri në bisedimet e radhës do të kenë mundësinë për të diskutuar më tej çështjet e qeverisë kalimtare, kushtetutës, zgjedhjet dhe luftën kundër terrorizmit.

Ai gjithashtu theksoi se më vonë do të merret vendimi se kur do të fillojë raundi i gjashtë i bisedimeve të paqes për Sirinë.

Nasir al-Hariri, kreu i ekipit negociator të opozitës siriane para delegacionit të opozitës siriane, u tha gazetarëve se, pavarësisht armëpushimit, regjimi sirian vazhdon me sulme të armatosura.

“Nga 22 marsi, kur kanë filluar bisedimet e paqes, regjimi i Asadit dhe bashkëpunëtorët e tij në tërë vendin kanë vrarë më shumë se 150 civilë. Kanë sulmur spitale, tregje dhe shkolla”, tha al-Hariri.

Ai theksoi se delegacioni i regjimit sirian gjatë nëntë ditëve të negociatave në vazhdimësi refuzon bisedimet mbi tranzicionin politik, duke shtuar se kanë potencuar bisedimet për luftën kundër terrorizmit, dhe me këtë rast, siç tha ai, plasuan “tregim të kotë”.

Armëpushimi në Siri, me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë, u arrit më 30 dhjetor. Forcat e regjimit vazhduan sulmet dhe krimet e tyre kundër civilëve, kurse forcat e opozitës siriane në ditët e fundit kanë filluar t’i përgjigjen sulmeve në pozitat e forcave të regjimit.

Në axhendën e raundit të pestë të bisedimeve në Gjenevë do të jenë katër pikat të cilat janë rënë dakord më parë. Në udhërrëfyesin e mëparshëm të përfshirë në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë paraparë negociatat për formimin e qeverisë kalimtare, përgatitja e kushtetutës dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare në Siri, ndërsa muajin e kaluar është shtuar edhe pika e katërt në lidhje me negociatat për luftën efektive kundër terrorizmit.

KULTURË

0 2406

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...