Home Lajme Pjesëtarët e FETO-s në Shqipëri, në panik

Në Shqipëri, shtet i cili radhitet ndër të parët kur bëhet fjalë për praninë e dendur të pjesëtarëve të Organizatës Terroriste FETO, janë duke u zhvilluar aktivitete për evidentimin e personave dhe institucioneve që kanë lidhje me këtë organizatë.

Sipas të dhënave të siguruara nga Anadolu Agency (AA), pjesëtarët e FETO-s, të cilët u arratisën nga Turqia pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, janë duke zhvilluar metoda të ndryshme për të mos u deshifruar në shtetet ku gjenden. Pjesëtarët e FETO-s kanë hapur një korridor arratisjeje për veten e tyre në një mënyrë e cila i ngjan metodave që kohë pas kohe përdoren edhe nga pjesëtarët terroristë të organizatës terroriste PKK, ndërkohë që ata veçanërisht zgjedhin shtetet e Ballkanit si rrugë kalimi drejt shteteve ku dëshirojnë të strehohen.

Në mesin e shteteve të para të cilat pjesëtarët e FETO-s i zgjedhin për t’u vendosur, Shqipëria radhitet e para. Pjesëtarët e FETO-s, të cilët prej një periudhe të gjatë kanë prani të dendur në Shqipëri dhe ushtrojnë aktivitete, janë duke përjetuar panik.

Anëtarët e organizatës nuk dëshirojnë që autoritetet e Shqipërisë të zhvillojnë procedura për evidentimin e tyre dhe të deshifrohen nga mundësia që këto të dhëna t’i transferohen Turqisë. Ata janë duke kërkuar rrugë që në mënyra të ndryshme ta vazhdojnë praninë në këtë shtet. Në krye të këtyre metodave të pjesëtarëve të FETO-s, të cilët lejeqëndrimin e sigurojnë në Maqedoni, është vazhdimi i punëve tregtare në Shqipëri pa hyrë në regjistër.

Synojnë të mos përfshihen në “listën e pjesëtarëve të FETO-s”

Pjesëtarët e FETO-s të cilët ushtrojnë aktivitete tregtare në Shqipëri orientohen drejt Maqedonisë – ku, sikurse në shtetet e tjera të Ballkanit, ende nuk janë hedhur hapa konkretë kundër FETO-s në kuptimin e plotë të fjalës – për shkak të sigurimit të lejeqëndrimit përmes rrugëve të lehta, siç janë regjimi pa viza, regjistrimi në shkolla, hapja e bizneseve ose krijimi i partneriteteve.

Pjesëtarët e organizatës janë kapluar nga frika të mos deshifrohen, teksa duke dokumentuar se banojnë zyrtarisht në Maqedoni, edhe pse bizneset i kanë në Shqipëri, ata synojnë të mos përfshihen në “listën e pjesëtarëve të FETO-s”. Pjesëtarët e organizatës terroriste, të cilët përfitojnë nga kalimi i lehtë ndërmjet dy shteteve, në këtë mënyrë vazhdojnë aktivitetet e tyre tregtare.
Edhe gjatë hapjes së ndërmarrjeve tregtare për herë të parë në vend, ata përdorin metodën e njëjtë. Pasi t’i kryejnë procedurat në Maqedoni, tregtinë e realizojnë në Shqipëri.

Ndërkaq, një tjetër metodë të cilën pjesëtarët e FETO-s e përdorin për të mos u deshifruar, është transferimi i biznesit. Anëtarët e organizatës mënjanojnë frikën nga kapja duke ua transferuar pasuritë dhe ndërmarrjet tregtare ndonjë personi që ka lidhje me FETO-n dhe të cilit do të mund t’i besojnë, zakonisht nga popullata lokale.

Aktivitetet tregtare nuk i bëjnë përmes bankave

Pjesëtarët e FETO-s vazhdojnë të jenë vigjilentë dhe, gjithashtu, aktivitetet e tyre nuk i realizojnë përmes bankave nga frika të mos zbulohen që në të dy shtetet. Procedurat me para i realizojnë në mënyrë manuale. Ndërkaq, thuhet se disa nga të ashtuquajturat “shtëpi për shërbime” të organizatës në rajone të caktuara përdoren për t’i fshehur paratë e gatshme.

Paratë e ndihmave dita-ditës shterohen

Intensifikimi i luftës së gjatë të Turqisë kundër FETO-s pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, është duke shteruar edhe burimet financiare të organizatës. Organizata ka vështirësi të paguajë madje edhe pagat e punëtorëve në institucionet që veprojnë nën të.

Vitin e kaluar qytetarë turq hapën mbi 200 biznese

Nga ana tjetër, mësohet se numri i bizneseve të hapura në Maqedoni vitin e kaluar nga persona të ardhur nga Turqia ka kaluar mbi 200.

Thuhet se afër 70 përqind e këtyre bizneseve u përkasin pjesëtarëve të FETO-s të cilët me pasuritë e tyre të gatshme janë arratisur nga Turqia pas 15 Korrikut. Kushtet e volitshme për të hyrë dhe për të siguruar lejeqëndrimi të vazhdueshëm në vend, i orienton pjesëtarët e FETO-s drejt Maqedonisë.

Në Maqedoni, pjesëtarët e FETO-s më së shumti zhvillojnë aktivitete në sektorin e ndërtimtarisë dhe atë të turizmit, teksa punët ditore i kryejnë duke marrë me qira automjete nga kompanitë e drejtuara nga persona që kanë lidhje me organizatën.

Strukturimi i FETO-s në Shqipëri dhe Maqedoni

Në shumë shtete të Ballkanit Perëndimor, institucionet dhe kompanitë që njihen për afërsinë me FETO-n zhvillojnë aktivitete në shumë fusha. Në rajon ekzistojnë 40 shkolla që njihen për afërsinë me FETO-n, prej të cilave 12 në Shqipëri dhe shtatë në Maqedoni.

Krahas fushave si arsimi, turizmi, mediumet dhe botimet, organizata tërheq vëmendjen edhe me praninë në institucionet publike. FETO, edhe përmes nxënësve që i trajnon, përpiqet ta rrisë ndikimin në institucionet në rajon.