Home Opinione Politikanët e rinj, drejt një realiteti të ri religjioz në zvicër?

Nga: Dr.Bashkim Aliu

Zgjedhjet si një nga ndodhitë më të rëndësishme të shoqërive demokratike, si dhe manifestimet dhe evenimentet më solemne të demokracisë, në vendet me demokraci të zhvilluar dhe stabile, shpalosin faqe të rëndësishme të mendimit, qasjes, pikëpamjeve, planeve afatgjata dhe afatshkurta të protagonistëve politikë, si dhe e reflektojnë fuqishëm klimën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore në shoqëri. Nga debatet e kandidatëve mëson shumë çka, edhe pse edhe shumë çka tjetër, mbetet e pa thënë, po ndoshta ka edhe gjëra të kamufluara. Megjithatë, në vendet me demokraci të zhvilluar, zgjedhjet me zhvillimet e tyre të rëndomta, si:tribunat, debatet, analizat, etj., nxjerrin në pah orientime të rëndësishme të shoqërisë, klasës politike dhe intelektuale, masës së gjërë dhe organizatave të profileve të ndryshme, përkitazi me çështje të rëndësishme për shoqërinë, e të cilat prekin më shumë sfera dhe fusha të interesit njerëzor. Në këtë kontekst, duhet theksuar edhe trajtimin e çështjes së religjionit në shoqëri, dhe të bashkësive religjioze, të cilat, nuk mund të mos jenë objekt shqyrtimi gjatë fushatave zgjedhore. Në vijë të këtij konstatimi, renditen edhe zgjedhjet e këtij viti në Zvicër, qofshin ato për këshillet kantonale, apo në nivel nacional, dhe duke vazhduar në këtë vijë, shpaloset qëndrimi i brezit aktual të politikanëve karshi fenomenit religjion në përgjithësi në Zvicër, pastaj me theks të veçantë, karshi fesë Islame dhe bashkësisë muslimane, si një nga komunitetet më të fuqishme, më në zë dhe më debatuese dhe e debatuar, në shoqëritë perëndimore, e cila edhe përskaj forcës numerike dhe potencialit ekonomik, kulturor, po edhe politik, nuk trajtohet si bashkësitë tjera fetare në drejtim të pranimit të fesë së cilës i përket, pra Islamit, si fe me status të pranuar publik në perëndim në përgjithësi, siç është rasti me komunitetin hebrej.

Në fakt, nga tribunat, debatet dhe intervistat e kandidatëve të ndryshëm të cilët garojnë në zgjedhje në Zvicër, shihet nji disponim ndryshe tek brezi i ri i politikanëve, të cilët dallojnë në qasje dhe qëndrime edhe nga vetë bashkëpartiakët e tyre veteranë, të cilët akoma nuk janë mësuar sa duhet të bashkëjetojnë me realitetin e ri religjioz në Europë në përgjithësi, dhe në Zvicër në rastin konkret. Për dallim prej brezit më të vjetër të politikanëve zviceran, të cilët komunitetin musliman e kanë parë vetëm në prizmin e të huajve të cilët duhet të “mësohen” të jetojnë në shoqërinë zvicerane, brezi më i ri i politikanëve tregon tendenca të kuptimit dhe trajtimit të komunitetit musliman si “partner” i rëndësishëm në formulimin e fizionomisë së shoqërisë moderne zvicerane, hapjen e rrugëve për pjestarët e këtij komuniteti të kontribuojnë me dijen dhe përvojën e tyre për të mirën e shoqërisë, dhe që është e një rëndësie të veçantë, eliminin e paragjykimeve për muslimanët dhe për Islamin si fe dhune dhe jo tolerante. Profili i politikanit të ri zviceran, ka qasje më kozmopolite ndaj muslimanëve dhe më kritike ndaj shoqërisë zvicerane. Deri më tash opinioni zviceran është mësuar të dëgjojë refrene, përafërsisht të ngjashme, të vënies theks në përgjegjësinë e komunitetit musliman për nevojën e akomodimit dhe integrimit në shoqërinë zvicerane, por, politikanë zviceran të brezit të ri, nuk ngurojn ta venë theksin edhe në përgjegjësinë e shoqërisë zvicerane për të bërë hapa para në drejtim të pranimit të muslimanëve si pjesë e saj, e jo thjesht si “Auslander”(të huaj). Kjo u pa edhe në një debat të organizuar nga Shoqata e Studentëve Muslimanë në Universitetin e Cyrihut (MSAZ). Në këtë debat, përfaqësuesi i Rinisë së Partisë Popullore Zvicerane (JSVP-së), Sebastian Huber, parti kjo që njihet me qëndrimet e forta ndaj të huajve, ka mbrojtur tezën se brenda kësaj partie ka mendime të ndryshme lidhur me problemet e ndryshme dhe se sidomos seksioni ku bën pjesë ai (JSVP) nuk lidhet doemos me SVP-në në qëndrime. Në këtë kuptim, Huber ka thënë se personalisht nuk do ta votonte iniciativën kundër minareve dhe as iniciativat tjera kundër mbulesës së grave muslimane. Sipas tij, secila ndalesë vetëm sa e nxit ekstremin, nga ana tjetër.

Ajo që meriton të nënvizohet në veçanti, kur janë në pyetje politikanët e rinj zviceran, është parashikimi i tyre për të ardhmen e komunitetit musliman në Zvicër, dhe të drejtat e tyre. Nga diskutimet e tyre kuptohet se ata e shohin komunitetin musliman në Zvicër të avansuar, duke e përfshi këtu edhe përgatitjen e shoqërisë zvicerane për një ngritje të këtillë të komunitetit musliman. Ata mbajnë qëndrimin se shumica e problemeve, në të ardhmen do të jenë të tejkaluara, dhe komuniteti musliman do të jetë në një pozitë shumë më të volitshme, duke e përfshirë edhe aspektin e organizimit të tyre institucional. Kështu, në debatin në fjalë, në pyetjen e e moderatorit se ku e shohin vendin e muslimanëve në Zvicër pas 20 viteve, shumica e panelistëve janë përgjigjur se:”Shumica e problemeve për të cilat po bisedojmë sot do të jenë të tejkaluara, Islami do të pranohet si njëri ndër religjionet zyrtare të Zvicrës dhe besimtarët muslimanë do të jenë pjesë e nënkuptueshme e kësaj shoqërie.”

Megjithatë, në këtë pikëpamje ambicioze për të ardhmen e muslimanëve në Zvicër, nga ana e politikanëve të rinj zviceran, duhet shënuar dy pika të rëndësishme:

-Kjo nuk don të thotë se sfidat do të eliminohen, dhe nuk don të thotë që muslimanët të lëshohen para sfidave, duke e minimizuar rrezikun e tyre. Jo, në asnjë mënyrë. Por, sfidat në rrugën e ngritjes së komunitetit musliman në Zvicër, do të vazhdojnë ta preokupojnë shoqërinë zvicerane dhe komunitetin musliman, gjë që kërkon veprim pozitiv permanent nga ana e komunitetit musliman.

-Ngritja e komunitetit musliman në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe kërkesave të kohës. Bërja realitet e këtyre parashikimeve, është zile alarmi për muslimanët, që të ngriten më lartë nga niveli aktual në përfaqësimin institucional, akademik, shoqëror, politik dhe ekonomik. Komuniteti musliman nuk guxon të vazhdojë të mendojë me logjikë “mëhallash”, që superioritetin e vet e ka të fiksuar në hapejn e një mesxhidi-faltore mëhalle, por duhet të ngjitet në nivelet më të larta të organizimit fetar, politik dhe ekonomik. Ambicjet e komunitetit musliman nuk do të realizohen me garazha të adoptuara në faltore, edhe pse nuk mohohet ky hap në kohën e vet, dhe në rrethanat e kohës së vet. Por, për të ardhmen dhe nevojat e kohës në të cilën jetojmë, dhe kërkesat e shoqërisë dhe brezave të rinj të komunitetit musliman, nuk mund të qëndrojmë në garazha. Poashtu, komuniteti musliman duhet të përgatitet të jetë prezent me platformën e vet për çështja të shumta që do të hapen në të ardhmen në shoqërinë zvicerane përkitazi me muslimanët. Muslimant nuk guxojnë të ngelin në sferën e paragjykimeve dhe teorive të konspiracionit, për ta mbuluar jo gatishmërinë e vet, por duhet të përgatiten të ofrojnë pikpamjet, analizat dhe qëndrimet e tyre për çështjet të cilat ngriten. Duhet të jemi të përgatitur që të ballafaqohemi me të gjitha palët me argumente, alternativa të përpunuara mirë dhe studime e analiza të mirëfillta shkencore për çështjet të cilat do të hapen. Përndryshe, do të vazhdojmë ta flladisim njëri-tjetrin pa ujë, e tjerët do të na presin teshat tona, sipas masës së tyre.