Home Lajme PREZANTOHET PROJEKTI PËR REGJISTRIN E ADRESAVE DHE SHTETASVE NË SHQIPËRI

Ministria e Brendshme e Shqipërisë propozon që regjistrat të jenë të përditësuar, ku regjistri i adresave të përditësohet dhe të ndjekë hapin e regjistrit të gjendjes civile.

Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë ka prezantuar sot projektin për “Regjistrin e integruar të adresave dhe shtetasve” – i quajtur “Popullimi”. Projekti në fjalë është prezantuar nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, ku gjatë aktivitetit të organizuar me këtë rast merrte pjesë edhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Tahiri ka deklaruar gjatë këtij prezantimi se ka zona në Shqipëri që mungon informacioni për ndërtesat, dhe të dhëna të tjera. Ai u shpreh se ky projekt është i rëndësishëm për shoqërinë në tërësi, por edhe për biznesin.

Sipas ministrit të Brendshëm në Shqipëria ka mbi 4.4 milion shtetas të regjistruar dhe mbi 1.3 milion familje, bazuar në të dhënat e regjistrit kombëtar të gjendjes civile. “Shqipëria reale nuk korrespondon me Shqipërinë në letra, sepse e vërteta që ne dimë nuk është e vërteta e letrave dhe regjistrave. Ka zona të tëra të Shqipërisë të pa ndriçuara nga dija institucionale dhe shtetërore, sepse ka munguar procesi për pasurimin e të dhënave”- u shpreh Tahiri në fjalën e tij.

Tahiri u shpreh se më këtë projekt po prezantojnë zgjidhjen e problemeve të shfaqura në këtë drejtim të në dy dekadat e fundit. Ministria e Brendshme e Shqipërisë propozon që regjistrat të jenë të përditësuar, ku regjistri i adresave të përditësohet dhe të ndjekë hapin e regjistrit të gjendjes civile. Tahiri shprehet se kanë si propozim që këto dy regjistra të kthehen në një regjistër të vetëm unik, i quajtur regjistri i integruar i shtetasve.