Home Lajme Shkup, vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare

Sonte në Shkup vazhduan protestat kundër platformës së partive politike shqiptare në Maqedoni.

Për të 16-ën ditë me radhë, iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” bashkë me mbështetësit edhe sonte u tubuan para Qeverisë, prej ku e filluan marshin e tyre drejt Parlamentit në shenjë proteste, siç thonë, kundër platformës së partive politike shqiptare në Maqedoni, me qëllim të mbështetjes “Për Maqedoni të përbashkët dhe unitare”.

Pasi që e filluan protestën përpara qeverisë, qytetarët e tubuar u nisën drejt Parlamentit me ç’rast u ndalën para Zyrës popullore të presidentit të Maqedonisë, ku e prezantuan të ashtuquajturin “Manifest” siç thanë, kundër ndërhyrjes në çështjet e brendshme të Maqedonisë.

Nga iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” platformën e partive politike shqiptare e vlerësojnë si diçka me të cilën drejtpërdrejt shkelet e drejta ndërkombëtare dhe kërkojnë nga institucionet ndërkombëtare si dhe nga të gjithë partnerët strategjik ta dënojnë, siç thonë, mënyrën e tillë të veprimit.

Ata vlerësojnë se platforma “në mënyrë më direkte e kërcënon interesin e përgjithshëm kombëtar dhe integritetin shoqëror dhe politik të Maqedonisë”.

Në fund, ata u bënë thirrje për bashkim të gjithë qytetarëve në Maqedoni, siç thanë për, synimin e përbashkët për ruajtjen e unitetit dhe tërësisë së Maqedonisë në bazë të parimit të vërtetuar dhe në themelet e unitetit bashkëkohor të vendit të cilat janë ndërtuar në Marrëveshjen kornizë të Ohrit nga viti 2001.

Pas këtyre porosive para Parlamentit, masa e tubuar është shpërndarë në mënyrë të qetë.

Ndryshe, platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.