Home Lajme SHOQËRIA CIVILE NË SHQIPËRI FORUM SOLIDARITETI ME DEMOKRACINË NË TURQI

Grupimi i organizatave të shoqërisë civile ka organizuar sot në Tiranë “Forumin e Solidaritetit me Demokracinë në Turqi”, duke shprehur njëzëri mesazhin e mbështetjes dhe solidaritetit ndaj popullit turk.

Pjesëmarrës në këtë forum ishin përfaqësuesit e 16 organizatave të shoqërisë civile me profile të ndryshme, si dhe shumë të ftuar të tjerë, duke përfshirë edhe ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar. I pranishëm ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, i cili përfaqëson shoqatën “Çamëria” në këtë grupim.

Ambasadori Bayraktar gjatë fjalës së tij në këtë forum u shpreh se që nga fillimi i tentativës për grusht shteti kanë marrë një mbështetje të madhe nga Shqipëria, si nga drejtues e shtetit shqiptar, pjesëtarët e opozitës dhe pozitës, anëtarët e shoqërisë civile dhe opinioni publik.

“Jemi mbledhur sot këtu së bashku për të protestuar kundër tentativës për grusht shteti e cila u organizua nga organizata terroriste FETO. Militantët e FETO-s të infiltruar në disa nga repartet e Forcave të Armatosura të Turqisë goditën me avionë luftarakë, helikopterë dhe tanke popullin dhe institucionet, të cilat përfaqësojnë vullnetin popullor. Këta eksponentë tinzarë dhe tradhtarë kishin qëllim të vinin në jetë ideologjinë e tyre të çmendur dhe të realizonin qëllimet nëpërmjet keqpërdorimit të të gjitha mundësive që iu ofronte shteti. Por populli ynë nuk iu la shteg këtyre terroristëve tradhtarë, ku në pak minuta miliona vërshuan nëpër rrugë dhe sheshe dhe nuk ia dorëzuan Turqinë FETO-s.”

Bayraktar u shpreh se organizata FETO edhe në Shqipëri ka zgjatimet e saj. Ai ka shtuar se ka nga ata që kanë për qëllim shtrirjen e kësaj ideologjie të sëmurë dhe të kësaj organizatë në Shqipëri. “Këta njerëz kanë abuzuar prej vitesh me dashamirësinë e njerëzve të thjeshtë dhe të shtetit tonë. Shpresojmë që këto zgjatime të cilat përbëjnë një kërcënim si për Turqinë ashtu edhe për Shqipërinë do të pastrohen një ditë. Ne kemi akoma më tepër besim që këto zgjatime në Shqipëri nuk do të gjejnë rrugë kalimi”, u shpreh Bayraktar.

Kryetari i Shoqatës Alternativa e së Ardhmes “Alsar”, Mehdi Gurra u shpreh gjatë fjalës së tij se me anë të këtij aktiviteti organizatat e shoqërisë civile shprehin solidaritetin me popullin turk.

Gurra gjithashtu lexoi edhe deklaratën e përbashkët të organizatave të shoqërisë civile pjesëmarrëse në këtë aktivitete që është nënshkruar prej përfaqësuesve të tyre. “Ne, një grup organizatash të shoqërisë civile, kemi parë me ngazëllim reagimin e jashtëzakonshëm të popullit turk, i cili masivisht dhe pa asnjë dallim u përball me organizatorët e grushtit të shtetit, me tanket, dhunën dhe vdekjen me një kurajo të paparë ndonjëherë duke fituar admirimin e të gjithë botës, të gjithë atyre që mbrojnë vlerat më të mëdha të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Ne besojmë se, në këtë qëndrim jemi bashkë me gjithë popullin tonë, i cili gjithnjë ka treguar se është në anën e principeve më të larta njerëzore e politike. Ne duam me këtë rast ti shprehim vlerësimin e thellë popullit Turk, për atë akt të madh në mbrojtje të qeverisë së zgjedhur në mënyrë të lirë e me mjete legjitime, një akt frymëzues për ne si popull mik por edhe për shumëkënd tjetër kudo në botë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Organizatat e shoqërisë civile pjesë të këtij forumi ishin Shoqata Alternativa e së Ardhmes “Alsar”, Shoqata “Istanbul’, Shoqata “Tirana”, Shoqata Atdhetare “Çamëria”, Forumi Musliman i Shqipërisë, Shoqata “Bashkësia Dibrane”, Civitas Albania, Green Crescent Albania, Albanian Democratic Institute, Shoqata “Shqiptarët e Diplomuar në Turqi”, Shoqata “Lidhja e Hoxhallarëve”, Fondacioni i Ballkanit Perëndimor për Zhvillim Strategjik, Organizata “Bashkimi i Rinisë Islame Shqiptare”, Shoqata “Hafiz Ibrahim Dalliu” dhe Shoqata Humanitare Arsimore Kulturore Kombëtare “Shkak”.