Home Lajme Shqipëria dhe Kosova së shpejti me ambasada të përbashkëta

Përpara trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe përfaqësuesve të Republikës së Kosovës që merrnin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shërbimit konsullor online, Kryeministri shqiptar, Edi Rama pohoi se shumë shpejt Shqipëria dhe Kosova do të fillojnë të operojnë me ambasada të përbashkëta.

Teksa na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet e 18 qershorit, Kryeministri Rama ka deklaruar se vota e emigrantëve mbetet sfidë për Shqipërinë. Por tashmë është hedhur hapi i parë më anë të Shërbimit Konsullor Online (SHKO), që do të shërbejë si regjistër për sistemin e votimit. Konsullata digjitale, që do të ofrojë 36 shërbime, është mbështetur që prej krijimit nga shoqata e konsujve të nderit në Shqipëri.

Ai deklaroi se jemi i vetmi shtet në Evropë, nuk e di nëse kemi kolegë të këtij niveli që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk dihet as sa janë, ku janë apo nevojat që kanë. Pa bërë këtë regjistrim e kemi të pamundur ti përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit. Procesi ka filluar.

“…Ky regjistrim i përgjithshëm që ka nisur dhe do të shtrihet në të gjithë territoret  ku jetojnë shqiptarë përmes aplikimeve online do na japë mundësi që ne ti përfshijmë duke i dhënë mundësi të votojnë nga aty ku janë dhe të mos jenë të detyruar të vijnë në Shqipëri, por kjo do të kërkojë kohën e vet.  Ashtu siç do kërkojë kohën e vet sinergjia e plotë e shërbimeve konsullore mes Shqipërisë e Kosovës…”

Ndërkaq, Kryeministri Rama tha se këto shërbime do afektojnë cilësinë e shërbimeve për shqiptarët e Kosovës duke u kthyer në shërbime të integruara. Nuk kemi pse të shpenzojmë dy herë për infrastrukturë, njerëz apo sisteme digjitale. Fare mirë mund të bashkojmë të gjithë asetet dhe burimet njerëzore dhe ti shërbejmë në një sportel të vetëm qytetarëve shqiptarë, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë aspekt linja konservatore e ministrisë së jashtme ka shfaqur një fleksibilitet shumë të arsyeshëm dhe jam i bindur se më herët se vonë ne do të arrijmë të kemi një shërbim të unifikuar.

Rama kërkoi të saktësonte se nuk flitej për një Shqipëri të madhe. Për ata që e shohin kështu Rama la të hapur dhe mundësinë e krijimit të një konsullate të përbashkët ballkanike.

“…Nëse dikujt i duket Shqipëri e madhe është problemi i tij, nuk është Shqipëri e madhe por ulje drastike e kostove dhe njëkohësisht afrim drastik i njerëzve me njëri tjetrin. Nëse të tjerët do të duan të na bashkohen dhe të kemi konsullata të përbashkëta ballkanike mirë se të vinë. Jemi të gatshëm t’i pranojmë të gjithë pa dallim feje, ideje e gjuhe…”.

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri