Home Sport Shqipëria na bën të besojmë

Me një lojë fantastike, Shqipëria ka arritur ta përmbysë avantazhin e Armenisë nga pjesa e parë, për ta fituar sfidën e vlefshme kualifikuese për Euro 2016 me rezultat 2-1.

Euforia shqiptare për këtë ndeshje u kushtoi kuqezinjve në fillim të sfidës, me ç’rast mysafirët kaluan në epërsi. Mkhitaryan e kaloi me lehtësi Canën dhe harkoi ulët te Movsisyan, i cili vetëm e devijoi në rrjet (4’).

Ishin kuqezinjtë ata që e dominuan vazhdimin e pjesës së parë duke krijuar raste të shumta, mirëpo nuk arritën që t’i shfrytëzojnë ato. Përmendim dy harkime të Agollit dhe mosshfrytëzimet nga Xhaka e sidomos Abrashi, goditja e të cilit e preku pjesën e jashtme të shtyllës.

Shtyllën e goditi edhe Cikalleshi në minutën e 33-të, derisa harkimet e Agollit vazhduan edhe kur po përfundonte pjesa e parë, ndërsa as Cana e as Cikalleshi nuk arritën të shënojnë.

Dominimi total i kuqezinjve vazhdoi edhe në fraksionin e dytë, ndërsa inkuadrimi i Lenjanit dhe Gashit i dha akoma më shumë shpirt kësaj ndeshjeje.

Rastet e njëpasnjëshme të vendasve nuk ndaleshin, derisa shtylla vazhdonte të ishte një pengesë për golin e kuqezinjve. Përmendim një goditje fantastike të Cikalleshit që u përplas në shtyllë.

Loja e mirë e Lenjanit, bëri që Hambartsumyan të merrte kartonin e dytë të verdhë dhe të përjashtohej nga loja (70’).

Shqiptarët e shfrytëzuan superioritetin numerik në fushë për ta përmbysur rezultatin. Mërgim Mavraj për mrekulli shënoi me kokë pas harkimit të Taulant Xhakës dhe i barazoi shifrat (77’).

Angazhimi i Lenjanit nga e majta u shoqërua me një harkim perfekt të tij dhe Shkëlzen Gashi ishte aty për ta shënuar golin e fitores (82’).

Shqipëria është e dyta në Grupin I me shtatë pikë aq sa ka edhe Danimarka në vend të parë.