Home Opinione SREBRENICA, GJAKU YNË QË NUK FALET

Shkruan: Ditar Kabashi

“Të vdesësh nuk është asgjë. Të mos jetosh është e frikshme”, thoshte Viktor Hygo. Secili i gjallë do të përballet një ditë me të pashmangshmen vdekje. Çështja është se në ç’mënyrë do ta përjetojë atë. A ka të drejtë të vijë dikush, me uniformë apo veshje civile, të të arrestojë, të të lidhë e të të ekzekutojë pa iu trembur syri vetëm se ti i takon një komuniteti tjetër etnik apo fetar?!

Fraza e njohur e gjeneralit Mlladiq (duke aluduar për boshnjakët) se “Erdhi koha që të hakmerremi ndaj turqve” dëshmon qartazi mendësinë shoviniste e fashiste, urrejtjen patetike ndaj një bashkësie tjetër dhe mbi të gjitha ngarkesën me tërë barrën e trashëguar ideologjike johumane që mbretëroi së voni në Gadishullin Ballkanik.

Këtyre ditëve kur përkujtohet gjenocidi në Srebrenicë, dhe kur përsëri “shtëpia e përbashkët e popujve të botës”, OKB-ja, nuk denjon ta quajë “gjenocid” spastrimin masiv të mbi 8300 personave në korrikun e para njëzet vjetëve, të paktën secila ndërgjegje e pastër duhet të vëjë në pikëpyetje humanizmin individual e të shohë se qendrat e vendosjes në glob sa janë realisht të vendosura në jetësimin e barazisë, lirisë, mosdiskriminimit, ndalimit të formave të dhunës dhe të një sërë parimeve të tjera teorike.

“Atje ku ka padrejtësi, paanësia është poshtërsi”, konkludonte mendimtari Xhemil Meriç. Dhe vërtet, mbyllja e syve nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe intervenimi i vonshëm në rastin e Bosnjës nuk amniston askënd e veçanërisht ligjëruesit (politikanë) e papërtueshëm të demokracisë e të drejtave të njeriut.

Siç do të shprehej edhe vetë Presidenti i ndjerë Izetbegoviq në Kujtimet e tija: “Kur ndodh tragjedi e këtyre përmasave më nuk ka të pafajshëm. Secili prej nesh është fajtor që ekziston bota në të cilën është e mundur Srebrenica…”. Kjo nxjerr në pah dimensionin e përgjegjësisë morale të të gjithëve, krahas përgjegjësisë penale që duhet të japin protagonistët kriminelë të rastit.

Kur tradhtia, çnjerëzorja, jeta e vdekja bëhen tok, ekziston një emërues – Srebrenica. Ajo është dhembja e përbashkët e gjithë popujve të botës. Atje nuk u pa gjaku, nuk u dëgjua klithma, nuk u fshi loti, nuk u zgjat dora e ndihmës. Në atë vend nuk u vranë boshnjakët, por u mbyt njerëzimi.
Prandaj, Srebrenica është gjaku ynë që nuk falet.

Similar articles