Home Opinione Stigmatizimi dhe linçimi i mësueses me shami

Shkruan: Mr. Muhidin Ahmeti

Të nderuar vëllezër besimtarë, të dashur shqiptarë, sot në këtë hutbe do të flasim për një rast që u bë temë për debat publik këto ditë në Kosovë. Fjala është për mësuesen e matematikës Fatmire Bujupi, e cila për shkak të mënyrës së saj të veshjes që lidhet me idealin, bindjen dhe parimet fesë islame, po stigmatizohet dhe po linçohet tash e disa ditë nga një pjesë e njerëzve, mediave dhe shoqërisë kosovare. Për fat të keq, është fjala për disa kategori dhe segmente të shoqërisë kosovare, por edhe në përgjithësi të asaj shqiptare, të cilët me paragjykimet dhe qëndrimet tyre irracionale karshi njerëzve me bindje religjioze islame, po zhvillojnë një luftë psikologjike speciale, të frymëzuar nga modelet tashmë të njohura shekullaristo-ateiste kundër atyre të cilët shfrytëzojnë të drejtën legjitime kushtetuese të manifestimit të bindjeve të tyre fetare.

Mendoj se kjo temë dhe të ngjashme me të nuk janë çështje dhe problematika që duhet ngritur debat në nivel kombëtar. Në këtë kohë nuk është prioriteti ynë shamia/hixhabi. Janë disa çështje që ne nuk duhet të lejojmë të bëhen tema mëdha, me prioritet dhe t’i kushtohet atyre vëmendje  publike. Nuk duhet të lejojmë që ta na imponojnë tema të tilla si ajo  e ndalimit të  heqjes së vetullave në islam në kohën kur në disa vende u hiqet njerëzve koka! Pse? Sepse problematikat e tilla nuk janë agjenda jonë.

Por, çfarë të bësh kur të sulmojnë pa të drejtë, duhet të mbrohesh. Goditjet dhe sulmet ndaj shamisë dhe hixhabit janë të vazhdueshëm si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Debatet  e tilla janë një lloj lajthitje e opinionit publik, përpjekje për të shkaktuar dhe inskenuar situata dhe ngjarje ta paqena, vetëm sa  për të krijuar problematika artificiale dhe zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale dhe fatkeqësitë që e kanë përfshirë vendin nga të katër anët.  Nuk është problemi i Kosovës islami dhe shamia, por është korrupsioni, krimi i organizuar, bandat e ndryshme që bëjnë plaçkitjen e burimeve të Kosovës në mënyrë të organizuar nëpërmjet vjedhjeve tatimore siç tregoi Inspektori në Administratën Tatimore të Kosovës, MuratMehmeti. Problem në Kosovë është infrastruktura: mungesa e rrymës, ujit, rrugëve, pa të cilat një shtet është inekzistent.

Dehumanizimi i qenies shqiptare duke i shkelur me të dyja këmbët vlerat e mrekullueshme të shqiptarisë, siç janë besa, nderi dhe dinjiteti i njeriut. Krijimi i një realiteti të çoroditur dhe të bastarduar në të tria fushat më të rëndësishme të jetës: në arsim, ekonomi dhe politik. Korrupsioni, nepotizmi, konformizmi janë kancer për shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Dhuna politike e pas luftës që po vazhdon edhe sot  e kësaj dite duke i vrarë djemtë tanë të ri në burgjesikurse ishte rasti i Astrit Deharit.

Këto janë problemet që ka Kosova nuk është shamia as islami!

Krijimi i një atmosfere pasigurie, frikë, pashprese, mungesa e lirisë etj., këto janë problemet reale që ka sot Kosova!

Problemi i Kosovës është sistemi arsimor dhe kriza e thellë që e ka përfshirë atë. Ky rast për të cilin po flasim është shembulli më i keq i mundësisë së  manipulimit, indoktrinimit të njerëzve qofshin fëmijë apo të rritur dhe fabrikimit të precedentëve të paqena. Nga paraqitja e tyre ne media duke derdhur lot krokodili nga frika e ardhjes së përfaqësuesve të ISIS-it në shkollat e Kosovës, krijohet përshtypja sikur këta njerëz vijnë nga një planet dhe civilizim tjetër i huaj, të cilët kurrë nuk kanë parë grua me shami.

Duhet kuptuar dhe pranuar se, nën fushatën agresive mediatike globale e drejtuar kundër muslimanëve në dekadën e fundit, janë indoktrinuar individë të shumtë të rritur, ashtu që përsëritja adoleshentike e epiteteve, të cilat i dëgjojnë në media duhet trajtuar me durim dhe dinjitet.

Provokime dhe sulme të tilla mbi të drejtën dhe dinjitetin e gruas muslimane  nuk do të pushojnë asnjëherë edhe në të ardhmen. Ne ato duhet t’i pranojmë dhe t’i trajtojmë me urtësi, ndërsa emocionet dhe energjinë që dalin prej tyre duhet amortizuar gradualisht me plane dhe projekte afatgjata që krijojnë premisa për realizimin dhe garantimin e  të drejtave dhe lirive të njeriut dhe luftën e vazhdueshme kundër diskriminimit të çfarëdo lloji.

Diskriminimi  i muslimanëve dhe intoleranca në baza fetare, si veçori themelore të islamofobisë, janë dukuri të pranishme, jo vetëm në Kosovë, por anë e kënd trojeve shqiptare dhe është një arsye e madhe për një shqetësim të thellë. Kjo gjendje e paragjykimeve, diskriminimit dhe urrejtjes ndaj besimtarëve muslimanë nuk është vetëm çështje e diskriminimit të një bashkësie fetare, por ajo ndikon thellë në stabilitetin dhe kohezionin e brendshëm të shoqërisë.