Home Lajme Sulmohet tenda në Shadërvan ku po nënshkruhej peticioni kundër hidrocentraleve, vullnetarët kërcënohen

Sulmohet tenda në Shadërvan ku po nënshkruhej peticioni kundër hidrocentraleve, vullnetarët kërcënohen

Derisa kanë filluar nënshkrimet e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë, një e tillë në Shadërvan-Prizren është sulmuar sot.

Organizatorët kanë publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes, ku edhe shihet e shkatërruar pjesa ku po bëheshin nënshkrimet.

“Sulmohet peticioni dhe kërcënohen me armë të ftohta vullnetaret”, thuhet ndër tjerash.

Sot, thuhet në njoftim, vullnetarët e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve janë sulmuar dhe kërcënuar me armë të ftohta në qytetin e Prizrenit.

“Personi i cili tashmë është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës ka demoluar shtandin e peticionit me shkop bejsbolli dhe ka kërcënuar dy vullnetarët me tone të ashpra duke fotografuar fytyrat e tyre, dhe duke vazhduar pastaj kërcënimin me anë të thikës”, thuhet më tej.

Kujtojmë se një peticion i ngjashëm ka nisur edhe në Prishtinë, me po të njëjtën moto: “Uji në gypa, milionat në xhepa”.

Shkatërrimi i vazhdueshëm i resurseve natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendimmarrës apo investitorë, ka shtyrë disa OJQ që të organizojnë një aksion për mbledhjen e nënshkrimeve që të parandalohet ndërtimi i hidrocentraleve.