Home Lajme “TIKA, simbol i bashkëpunimit dhe miqësisë Turqi-Shqipëri”

Mbështetja dhe ndihmat e ofruara nga Turqia nëpërmjet institucioneve të saj për Shqipërinë gjatë viteve të tranzicionit vlerësohen si një kontribut i rëndësishëm për shumë sektorë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin dhe transformimin e jetesës së shqiptarëve. Një ndër këto institucione që ofron prej vitesh kontributin e saj është Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), duke mbështetur vendin në shumë sektorë.

Prof. Dr. Ferit Duka, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Edukimit në Universitetin Evropian të Tiranës, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) thekson se nëse flitet për faktorët me ndikim të rëndësishëm në transformimin e shoqërisë shqiptare të periudhës post-komuniste, pa dyshim që një vend të veçantë ka Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, duke ka ofruar një mbështetje të jashtëzakonshme në sektorët jetikë të ekonomisë, arsimit dhe kulturës shqiptare.

Ai shton se tregues domethënës për këtë kontribut janë rreth 400 projekte të financuara dhe të zbatuara në fushat e shëndetësisë, në arsim, bujqësi, administratë publike, trashëgimi kulturore, etj.

“Në lëmin e shëndetësisë projektet e TIKA-s kanë sjellë rezultate impresionuese që lidhen me riparimet e qendrave shëndetësore dhe spitaleve, furnizim me pajisje mjekësore, ndërtim laboratorësh, etj. E rëndësishme dhe rezultative ka qenë gjithashtu ndërhyrja me projekte për zhvillimin e infrastrukturës administrative dhe civile, mbështetja e kongreseve dhe veprimtarive të tjera me karakter social, kulturor e shkencor, etj. Një numër i konsiderueshëm projektesh janë orientuar edhe në drejtim të arsimit. Ato janë konkretizuar me riparimin dhe ndërtimin e mjaft shkollave, si dhe pajisjen e shkollave me materiale mësimore”, shprehet historiani Prof.Dr Ferit Duka.

Ai shprehet se megjithëse fushat e lartpërmendura janë sfera ku janë ndjerë fuqishëm efektet e veprimtarisë zhvilluese e transformuese të TIKA-s, emri i këtij institucioni është i lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore dhe historike të shqiptarëve. Në vazhdim thekson se “Është e ditur se një pjesë të mirë të objekteve të trashëgimisë kulturore tranzicioni post-komunist shqiptar i gjeti në gjendje të mjeruar. Kjo lidhej jo vetëm me vëmendjen e pamjaftueshme të shoqërisë shqiptare kundrejt pasurive të saj kulturore të trashëguara nga historia si dhe me rrjedhojat shkatërrimtare që kanë sjellë luftërat e ndryshme, por edhe me sjelljen brutale ndaj monumenteve të kultit të manifestuar nga shteti komunist shqiptar në kuadër të luftës së tij kundër fesë.”

Sipas tij, e rëndësishme ishte ndërhyrja e kësaj agjencie me një sërë projektesh të fuqishme për restaurimin e objekteve kryesore që i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare të periudhës osmane, duke shtuar se një ndërmarrje e lavdërueshme në këtë drejtim ka qenë puna për restaurimin e xhamisë në kalanë e Prezës.

“Xhamia e Kalasë së Prezës ndodhet brenda juridiksionit të Bashkisë së Tiranës. Vetë kalaja e Prezës përfaqëson një nga qendrat më të njohura të fortifikimeve mesjetare shqiptare. Kalaja në fjalë kishte një rol të rëndësishëm strategjik në trekëndshin Tiranë-Krujë-Durrës, ndaj dhe u rikualifikua si e tillë nga osmanët dhe në kohën e sundimit të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm iu nënshtrua një riparimi tërësor. Krahas punimeve riparuese të bëra në kala gjatë viteve 1528-1547, brenda mureve të saj u ndërtua edhe një xhami me tipare arkitekturore interesante. Në rrjedhën e kohës xhamia në fjalë ishte dëmtuar, ndaj dhe u financua dhe u zbatua në mënyrë të specializuar nga TIKA një projekt që bëri të mundur restaurimin e plotë të këtij objekti, punë kjo që lidhej me forcimin e qëndrueshmërisë statike të ndërtesës, dekorimin e mureve dhe mihrabit, rinovimin e çatisë, si dhe ndërtimin e minares së xhamisë duke respektuar origjinalin”, thekson Prof. Dr. Ferit Duka.

Ai kujton edhe një tjetër projekt restaurues të këtij lloji që është zbatuar edhe në Xhaminë e Murat Beut në Krujë. Sipas tij kjo xhami në vetvete përfaqëson një tjetër monument të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptaro-osmane, që u ndërtua gjithashtu në kohën e Sulejmanit të Madhërishëm (1534). Përveç restaurimit të përgjithshëm të xhamisë, dekorimit të mureve dhe mihrabit, rinovimit të çatisë, etj., këtu është drenazhuar edhe rruga për në objekt.

Një ndërhyrje tjetër restauruese është bërë edhe në Xhaminë e Iljas Bey Mirahorit në qytetin e Korçës. Ky monument i hershëm i trashëgimisë osmane të Shqipërisë, sipas profesor Dukës lidhet me emrin e një personaliteti të njohur shqiptar të shek. XV, i cili u ngjit shpejt në karrierë duke arritur deri në postin e Mirahorit (Mir-i Ahur) në oborrin sulltanor. Xhamia në fjalë u ndërtua në fund të shek. XV dhe u shkatërrua dhe u rindërtua disa herë. Ai shton se pas një pune të kujdesshme restauruese të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës i Shqipërisë në vitet 1977-1978, xhamia shërbeu si muze dhe më vonë edhe këtij objekti iu bë një restaurim i përgjithshëm me nivel të lartë profesional nga ana e TIKA-s.

Në projektet e saj restauruese ky institucion përfshiu edhe Xhaminë e Nazireshës në qytetin e Elbasanit, një monument i ndërtuar në vitin 1599 dhe që mori emrin e një gruaje të një funksionari të lartë osman të kohës. Xhamia në fjalë pësoi një ndërhyrje të thellë që nënkuptonte heqjen e kubesë së vjetër dhe ndërtimin e së resë, si dhe ndërtimin e një minareje të re në përshtatje me origjinalin.

“E tërë kjo veprimtari e gjerë e TIKA-s në mbështetje të zhvillimit të Shqipërisë në një periudhë prej më se njëzetvjeçare, e ka thyer këtë institucion në një simbol të bashkëpunimit të gjithanshëm e të miqësisë tradicionale midis popullit shqiptar dhe atij turk, në një kontributor të jashtëzakonshëm në forcimin e mëtejshëm të kësaj miqësie me themele të forta historike”, përfundon Prof. Dr. Ferit Duka.