Home Lajme Tiranë – Nis ndërtimi i xhamisë më të madhe të Ballkanit

Më në fund pas shumë përpjekjesh ka nisur ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, faltores, e cila u ka munguar besimtarëve myslimanë të Shqipërisë prej vitesh. Ndërtimi i kësaj faltoreje do të kryhet me ndihmën financiare dhe teknike të Republikës së Turqisë. Fillimi i punimeve të kësaj xhamie ka ardhur pas shumë e shumë mundimeve dhe pengesave të krijuara nga qarqe burokratike në vend.
Agjencia turke e lajmeve AA ka monitoruar nga afër fillimin e punimeve për ndërtimin e xhamisë, e cila pritet të jetë më e madhja në Ballkan. Gjithashtu AA ka marrë edhe një deklaratë nga Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar, përfaqësuesin ligjor firmës Komash A.SH, e cila është një firmë që i përket Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, si dhe me menaxherin e kantierit të ndërtimit të xhamisë.hidayet bayraktar
Gjatë monitorimit të punimeve Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar ka dhënë një deklaratë të shkurtër në lidhje më këtë objekt kulti që do t’iu shërbejë besimtarëve myslimanë të kryeqytetit shqiptar. Ambasadori Bayraktar tha për AA-në se është shumë i gëzuar që bëhet dëshmitar i nisjes së punimeve për ndërtimin e “xhamisë më të madhe në Ballkan”, siç e quajti ai. Bayraktar tha se Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i ndjek nga afër këto punime personalisht dhe si President i vendit, edhe ai është një nga ndihmuesit më të mëdhenj në realizimin e ndërtimit të saj.
“Shqipëria është një vend me 70 % myslimanë, ku besimet fetare veprojnë në liri dhe bashkëjetesa fetare gjithashtu është e theksuar”, tha Bayraktar në fjalën e tij, duke shtuar se: “Megjithëse Shqipëria është një vend, i cili tregohet me gisht për bashkëjetesën fetare, myslimanët, të cilët janë në shumicë prej kohësh nuk e ushtrojnë dot të drejtën e tyre për të kryer ritet fetare, pasi faltoret në këtë vend janë të pamjaftueshme. Ndërkohë vëllezërit tanë shqiptarë që i përkasin besimit katolik dhe ortodoks edhe pse më të pakët në numër kanë një sasi të mjaftueshme vendesh për të kryer ritet e tyre fetare. Ndërkohë myslimanët gjatë muajit të Ramazanit dhe gjatë faljes së namazit të xhumasë kanë vështirësi në gjetjen e një ambienti të përshtatshëm. Siç e dimë gjatë festave të Bajrameve ata falën në bulevard për shkak të mungesës së një xhamie të mjaftueshme për të kryer këtë rit. Nëse në vitin 1930, kur popullsia e qytetit të Tiranës ishte shumë herë më e vogël, numri i xhamive në këtë qytet shkonte deri në 40, ndërsa sot kur popullsia e këtij qyteti arrin gati një milion gjenden vetëm 8 xhami”.
Bayraktar në përfundim të fjalës së tij tha se në këtë xhami do të mund të falen rreth 5 mijë persona në të njëjtën kohë dhe se ndërtimi i një muzeu të bashkëjetesës pranë kësaj xhamie do ta bëjë atë që të japë një mesazh të fortë për vendet e tjera të Ballkanit dhe botës.
Ndërkohë në një deklaratë për AA përfaqësuesi ligjori firmës Komash A.SH, e cila është një firmë që i përket Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Tahsin Koç, dha detaje mbi periudhën përgatitore që çoi deri në fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj xhamie. Duke vënë në dukje se prej 3 muajsh ai dhe ekipi i tij kanë ndjekur një sërë procedurash ligjore për fillimin e punimeve, thekson se kjo xhami do të jetë një dhuratë e popullit turk për popullin shqiptar.xhamia e namazgjase.
Për agjencinë AA foli edhe shefi dhe menaxheri i kantierit të ndërtimit të xhamisë, Hysejin Shenturk (Hüseyin Şentürk). Shenturk nuk ngurroi të japë detaje mbi ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme për qytetin e Tiranës. “Në fazën e parë të projektit, e cila mund të zgjasë rreth 6 muaj pritet të bëhen gërmime dhe ndërtime të bazës së themeleve të xhamisë” tha Shenturk dhe shtoi më tej se hapësira e fushës së ndërtimit të kësaj xhamie është rreth 10 mijë metra katrorë dhe se 3250 prej tyre janë pjesë fizike të ndërtimit. “Xhamia do të ketë tre kate bodrum, ku 2 prej tyre do të përdoren si parking, ndërsa tjetra për hapësira zyrash dhe bibliotekë. Pranë xhamisë do të ndërtohet edhe një muze, i cili quhet ndryshe edhe si ‘Muzeu i Bashkëjetesës’, shtoi Shenturk në përfundim të fjalës së tij.
Ndërkohë në një deklaratë me shkrim për AA, Drejtori i Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Ismail Pallakollu (Ismail Palakoğlu) tha se është shumë i lumtur që më në fund arritën të hedhin themelet e vërteta të xhamisë më të madhe në Ballkan. “Filluam ndërtimin e xhamisë. Shpresojmë që së shpejti të bëjmë edhe një ceremoni zyrtare për fillimet e këtyre punimeve” tha Palakollu dhe shtoi se bashkë me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë do të kenë mundësinë të bëjnë shumë shpejt edhe ceremoninë e hapjes së kësaj xhamie.
Nga ana tjetër me rastin e fillimit të punimeve Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bërë një deklaratë për shtyp, ku ndër të tjera Drejtori i Vakëfit pranë këtij Komuniteti, Uran Kalej ka gjetur rastin të falënderojë Republikën e Turqisë për ndihmën e dhënë mbi ndërtimin e kësaj vepre madhore. Punimet për ndërtimin e kësaj xhamie priten të zgjasin rreth 3 vite dhe në të pritet të kryejnë ritet fetare rreth 8 mijë persona, 5 mijë prej të cilëve në ambiente të brendshme. Xhamia do të ketë 4 minare dhe pranë sajë pritet të ndërtohet edhe një muze i cili është emërtuar si “Muzeu i Bashkëjetesës” ku në të pritet të ekspozohen vlera në shërbim të bashkëjetesës ndërfetare.