Home Lajme Topi i futbollit dhe rinumërimi i golave në lagje

Topi i futbollit dhe rinumërimi i golave në lagje

Ditar Kabashi 13.11.2019

Dikur kishte atmosferë loje në lagjet e qytetit. Shumica e rrugëve dytësore dhe rrugicat ishin të paasfaltuara. Nuk kishte zallahi automjetesh. Retë e pluhurit mbulonin hera-herës mjedisin por qetësia mbretëronte pakrahasimisht me të sotmen.
Fëmijët luanin lirshëm, pa drojën e veturave të shpeshta. Njëri ndër ta isha edhe unë. Sot, fëmijët nuk dalin dot në rrugën para shtëpisë se kubëzat e betonit, të shtruara për të ngritur mirëqenien, nuk u shoqëruan me krijimin e hapësirave të sportit në copëzat e arnuara urbane.
Loja e preferuar ishte futbolli dhe derivatet e tij: loja me penalti, loja me një gol, etj. Funksionin e shtyllave e merrnin përsipër gurët, të cilët mund t’i gjeje anekënd qosheve të rrugicës. Natyra e shtyllës – jo rrallë – bëhej objekt kontesti: ishte gol apo shtyllë, kur topi përshkonte cepin e saj. Gjithsesi, edhe ato pretendime dhe orvatje për argumentim kishin lezetin e vet dhe nuk zgjasnin fort.
Secila lojë kishte edhe të privilegjuarin. Jo, nuk bëhet fjalë për lojtarin më të mirë, as për më të vjetrin në moshë. I dalluari nga të tjerët ishte pronari i topit. Ai kishte imunitet të plotë: mund të zgjidhte bashkëlojtarët, të vendoste se në cilën pozitë brenda “fushës” të lozte dhe të mos i kontestohej paaftësia nga të tjerët, edhe atëherë kur dështonte keqas e skuadrën e merrte në qafë.
Ai që zotëronte topin ishte përcaktues i fatit të lojës. Si beniamin i shoqërisë gëzonte të drejtën e paralindur ta ndërpriste lojën dhe ta merrte topin nëse ecuria nuk i pëlqente. Rëndom, kur rezultatin nuk e honepste, i zoti i topit të futbollit mund të kërkonte që loja të niste nga zeroja ose – në rastin më të mirë – të kontestonte ndonjë gol të pranuar më parë duke kërkuar rinumërim të të gjithë golave, vetëm e vetëm që të mos mbaronte ballafaqimi duke e nxjerrë humbës.
Kjo bëhej shkak që të tjerët të irritohen dhe të prishej ngazëllimi e solidariteti mes pjesëmarrësve në lojë. Fatkeqësisht, ndodhte që të kishte edhe hidhërime. Tërë kjo pastaj ndikonte në klimën e mirë e garuese.
Mbase zgjidhja më e mirë do të ishte që të gjithë të kontribuonin me ca qindarka e ta blinin një top të përbashkët. Kështu, monopoli mbi topin nuk do t’i përkiste askujt dhe loja do të zhvillohej e barabartë, e lirë dhe pa kërcënime të mundshme. Mbi të gjitha, çfarëdo që të ishte, rezultati do të ishte i pranueshëm dhe nuk do të duhej të përsëriteshin golat deri sa ai që kishte topin nën kontroll të plotësonte apetitet për rezultatin.
Ç’të bësh, të vegjël ishim. Nuk na shkonte ndërmend kjo zgjidhje. Fundja, më mirë ta kuptojmë bile ndonjëherë, paçka edhe kur ta kemi ndërtuar një kullë prej vitesh të jetës dhe futbollin e përcjellim vetëm në televizor.