Home Opinione Xhamia dhe Sahat kulla në Kala të Prizrenit konform Konventës të Këshillit...

Shkruan: Faik Miftari

Trashëgimia kulturore si nocion”përfaqëson një vlerë që e tejkalon përdorrshmërinë e saj në një kohë të caktuar dhe për një qëllim të caktuar, dhe, si rezultat, meriton ruajtje dhe njohje më të madhe të vlerës së saj, duke respektuar të drejtat e komuniteteve të ndryshme dhe në veçanti të brezave të ardhshme”.

Konventa e Këshillit të Evropës për Trashëgiminë Kulturore është miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës me 13 tetor 2005 dhe u hap për nënshkrim  me 27 tetor 2005 në Faro nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës si dhe çdo shteti tjetër i ftuar për të aderuar në këtë Konventë. Pasi që Kosova tani ka nënshkruar marrëveshjen për stabilizim dhe asocijim si fazë paraprake drejt shtetit anëtar kandidat për Bashkimin Evropian, si e tillë edhe në aspektin e trashëgimisë kulturore Kosova  legjislacionin e saj do të duhej të formulojë konform  Konventës të Këshillit të Evropës për Trashëgiminë Kulturore.

Duke u nisur nga parimi i përcaktuar në preambulë të Konventës së Këshillit të Evropës për Trashëgiminë Kulturore në të cilin përveç tjerash ceket:” Duke pranuar se çdo person gëzon të drejtën e përfshirjes në trashëgiminë kulturore të përzgjedhur prej tij ndërsa respekton të drejtat dhe liritë e të tjerëve, si aspekt i së drejtës së tij për të marrë pjesë lirisht në të drejtën kulturore të mishëruar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut(1948) dhe të garantuara nga Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (1966)”, konform kësaj Iniciativa Qytetare e Prizrenit e përbërë nga shoqëria civile, afaristë, publicistë, media, etj.,e kanë pranuar si një të drejtë publike të arsyeshme  me ç’rast kanë justifikuar me pjesëmarrjen e gjerë demokratike   për  trashëgiminë kulturore si  një e drejtë e patjetërsueshme për të shfaqur interesimin për trashëgiminë e vetë kulturore të përzgjedhur, e në rastin konkret  që në kuadër të punimeve që janë duke u bërë në Kala  nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  krahas objekteve të ndërtuar të gjertanishme, të bëhet edhe  rindërtimi i   xhamisë dhe sahat kullës  së dikurshme  ekzistuese në Kalanë e Prizrenit.

Duke marrë parasysh nenin 2 të Konventës:”a) trashëgimia kulturore është një grup burimesh të trashëguara nga e shkuara, të identifikuara nga njerëzit si reflektim dhe shprehje e vlerave, besimeve,njohurisë dhe traditave gjithnjë e në zhvillim, pavarësisht nga pronësia. Ajo përfshin të gjitha aspektet e mjedisit që vijnë si rezultat i ndërveprimit ndërmjet njerëzve dhe vendeve gjatë kohës, b) një komunitet trashëgimie përbëhet nga njerëz ë vlerësojnë aspekte specifike të trashëgimisë kulturore që ata duan të ruajnë dhe të transmetojnë për brezat më pas, brenda kuadrit të veprimit publik”, Iniciativa Qytetare e Prizrenit konform këtij neni e sheh xhaminë dhe sahat kullën në Kala nga trashëgimia e dikurshme e përbashkët ekzistuese që i përket jo vetëm disa komuniteteve, shqiptarëve, turqve , boshnjakëve, romëve, por edhe grupeve tjera publike, që flasin edhe gjuhë të ndryshme , por që në aspektin gjeografik  rajonal i ndërlidhin vlerat e përbashkëta të trashëgimisë kulturore që shprehin njëkohësisht  edhe vlerën e besimit, traditës, kulturës së pasur të qytetit të Prizrenit. Për këtë arsye duke treguar interesimin e veçantë për ruajtjen, pasurimin dhe përparimin e trashëgimisë kulturore në Kala si perlë e veçantë e Prizrenit, me dëshirë që këto të rindërtohen dhe të përcillen brezave të ardhshme që  të shohin se çfarë kolorit të pasur ka pas Prizreni, ka, dhe do të këtë,të cilën do të ruajë me fanatizëm edhe gjatë periudhës së mëtutjeshme.

Njashtu  marrë për bazë nenin 4 të Konventës:”a) çdo kush individualisht ose në mënyrë kolektive, ka të drejtë të përfitojë nga trashëgimia kulturore dhe të kontribuojë për pasurimin e saj;b) çdokush, individualisht ose në mënyrë kolektive ka përgjegjësinë e respektimit të trashëgimisë së tij, dhe si rezultat, ka po aq edhe përgjegjësinë e respektimit dhe të trashëgimisë së përbashkët të Evropës”, Iniciativa Qytetare e Prizrenit, nga individët e caktuar që treguan interesim për këtë qëllim u bashkuan dhe në mënyrë kolektive formuan Iniciativën, për të  bërë pjesë e një komuniteti trashëgimie për vlerësimin e trashëgimisë kulturore në rastin konkret si një aspekt specifik i trashëgimisë kulturore vetanake, xhaminë dhe sahat kullën, për të dhënë kontributin e tyre të çmuar për të pasuruar edhe me dy objekte të dikurshme ekzistuese në Kala të Prizrenit, me të cilin do të plotsohet trashëgimia e dikurshme kulturore me ç’rast  do të respektohet trashëgimia  vendore  si pjesë e trashëgimisë së përbashkët evropiane.

Duke cekur më tutje nenin 8 të Konventës:”aspektet e trashëgimisë së mjedisit kulturor do të përdoren për të:a)pasuruar proceset e zhvillimit ekonomik, politik, social, dhe të planifikimit urban, duke ju drejtuar vlerësimeve të ndikimit të trashëgimisë kulturore dhe miratimit të strategjive lehtësuese kurdo që është e mundur”,  në saje të planifikimit urban të gjertanishëm të zhvilluar dhe të realizuar në kompleksin e Kalasë, xhamia dhe sahat kulla do të plotësojnë dhe kompletojnë këtë planifikim urban të gjertanishëm duke marrë për bazë ndikimin dhe efektin e saj të drejtpërdrejtë në trashëgimin e pasur kulturore duke miratuar pikësëpari edhe strategjinë e veprimit të Iniciativës Qytetare të Prizrenit duke vepruar në harmoni dhe koordinim të plotë të të gjitha palëve të inkuadruara në trashëgiminë kulturore që nga niveli lokal e gjer tek niveli qendror. Në këtë aspekt është e rëndësishme të ceket se territori i Kalasë së Prizrenit, si pronë e qytetit të Prizrenit, e në menaxhim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është vend takimi kulturash si në kuptimin gjeografik ashtu edhe të aspektit historik. Territori i Kalasë së Prizrenit do të jetë mbi të gjitha  një vend takimi të përbashkët për të gjithë aktorët të shoqërisë kosovare që janë të interesuar për pasurimin, ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë së pasur kulturore të Prizrenit.

Neni 10 i Konventës cek lidhshmërinë e drejtpërdrejtë të trashëgimisë kulturore me zhvillimin ekonomik:”a) rrisin ndërgjegjësimin dhe të përdorin potencialin ekonomik të trashëgimisë kulturore;b)marrin parasysh karakterin dhe interesat specifike të trashëgimisë kulturore gjatë hartimit të politikave ekonomike, dhe c) sigurojnë se këto politika respektojnë integritetin e trashëgimisë kulturore pa kompromentuar vlerat e saja të brendshme”,konform kësaj Iniciativa Qytetare e Prizrenit për ndërtimin e xhamisë dhe sahat kullës  ka pas parasysh se ndërtimi i tyre do të ketë impakt të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin e turizmit në  Prizren si një degë shtesë në zhvillimin ekonomik të Prizrenit, pasi që turistët e shumtë kombëtar dhe ndërkombëtarët që janë duke vizituar Kalanë dhe që do të vizitojnë edhe në të ardhmen Kalanë e Prizrenit, do të mbesin të mahnitur me tri perla kryesore të trashëgimisë kulturore në Kala të Prizrenit, e që këto do të jenë xhamia dhe sahat kulla e rindërtuar si dhe funksionalizimi i topit ekzistues në Kala.

Neni 12 i Konventës përshkruan qasjen në trashëgiminë kulturore dhe pjesëmarrjen demokratike të saj:”a) inkurajojnë çdokënd të marrë pjesë në: procesin e identifikimit, studimit, interpretimit, mbrojtjes, ruajtjes dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore, reflektimin publik dhe debatin për mundësit dhe sfidat që paraqet trashëgimia kulturore”,konform këtij neni Iniciativa Qytetare e Prizrenit për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës në Prizren, ka senzibilizuar opinionin e gjerë publik me iniciativën e saj duke njoftuar paraprakisht  një spektër të gjerë të subjekteve politike komunale dhe shoqërinë civile vendore, gjithashtu ka shpërndarë fletëpalosje dhe postera publike , ka bërë përshkrimin historik studimor  të tyre në media të shkruara dhe elektronike, ka bërë prezantimin në studiot lokale televizive të iniciativës për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës, ka bërë grumbullimin e peticionit, me ç’rast për një periudhë kohore një mujore ka arrit të grumbullojë mbi 30.000 nënshkrime pro ndërtimit të xhamisë dhe sahat kullës në Kala nga banorët rezident të komunës së Prizrenit. Paraprakisht ka  njoftuar edhe opinionin e gjerë publik vendor dhe qendror , duke i kushtuar rëndësi të madhe mediave të shkruara dhe elektronike si dhe portaleve që në një masë sa më të madhe të njoftohen të gjithë qytetarët e interesuar lokal dhe qendror me këtë nismë për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës në kala të Prizrenit me qëllim të pasurimit, kultivimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit.  Gjatë kësaj kohe ka pasur edhe  kundërshtime për iniciativën e tillë nga opinioni publik, që është një vlerë në debatin demokratik duke marr parasysh se nuk kanë pas njohuri paraprake të ekzistimit të xhamisë dhe sahat kullës në Kala, apo  keqinterpretime të ndryshme  të shprehura më parë.

Në fund do të përmbyll këtë elaborim të Iniciativës së rindërtimit të xhamisë dhe sahat kullës në Kala të Prizrenit konform Koneventës Evropiane të Këshillit të Evropës për Trashëgimin Kulturore të Prizrenit me një citat të bukur të theksuar për bukurinë e qytetit të Prizrenit:” Nga çdo penxhere, nga çdo çardak në Prizren, kthehu majtas apo djathtas, shiko para vetes, apo pas vetes,  do të frymohesh dhe mahnitesh me bukurinë që ndonjëherë syri ka parë, bukurinë që rallë gjendet”. Tani i mbetet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe të Sportit si organ publik të nivelit qendror  e cila e ka në menaxhim të sipër Kalanë e Prizrenit, si bartëse përgjegjëse e trashëgimisë kulturore , e cila veten duhet të konsiderojë si udhëheqës e një partneriteti të përbashkët, të miratojë kërkesën e Iniciativës Qytetare të Prizrenit për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës në Kala të Prizrenit, dhe të përgëzojë atë si vlerë e përfshirjes së publikut e interesuar për ruajtjen, kultivimin, promovimin dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore si një drejtë e qëndrueshme jo vetëm kulturore, por  edhe kombëtare.

 

Similar articles