Home Lajme KOSOVË Antidroga kryen bastisje në Prizren, arrestohet një person i dyshuar

Mbrëmjen e së enjtes, në rrugën “Azem Hajdari” në Prizren është zbatuar nga policia një urdhër kontroll i Gjykatës Themelore në Prizren.

Burimet brenda policisë kanë thënë se gjatë kontrollit nga hetuesit, janë gjetur dhe sekuestruar: Pesë foli alumini të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 4 gramë, mbetje e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 43.9 gramë, një peshore elektronike me mbishkrim “CAPACITY 500 gramë”, një shufër metalike ngjyrë e zezë me mbishkrim “POLICE USING”, monedha të ndryshme në vlerë 229.5 euro dhe mbështjellës- folie alumini.

I dyshuari paraprakisht ka tentuar të shkatërroj dëshmitë dhe të arratiset duke kërcyer nga kati i dytë i shtëpisë së tij, mirëpo është arritur që të arrestohet.

Pas arrestimit është dërguar për kontroll mjekësor, mirëpo gjendja e tij ka qenë stabile dhe nuk ka pasur lëndime.

I njëjti i dyshuar pas bastisjes në shtëpinë e tij, është intervistuar në prezencë të avokatit dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Hetimet për rastin është duke i zhvilluar Drejtoria për Hetimin dhe Trafikimin e Narkotikëve- Njësia Prizren.