Home Lajme BOTË BE:Ambasada e Kosovës në Jerusalem vendim fatkeq,nëse nuk i përmbushni kushtet as...

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje të martën për vendimin e Kosovës që të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, qytet të cilin BE-ja e konsideron me status të pazgjidhur.

Peter Stano, zëdhënësi i bllokut evropian, ka thënë në një konferencë për media se Brukseli pret nga Kosova që të veprojë në bazë të deklarimeve për integrimet evropiane si qëllim strategjik.

“Në përgjithësi është gjithmonë e mirëseardhur kur parterët tanë të jashtëm normalizojnë raportet mes tyre. Por kur është fjala e hapjes së ambasadës në Jerusalem, ky është një vendim për keqardhje i Kosovës sepse e largon Kosovën nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit. Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së janë në Tel Aviv dhe kjo është në përputhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe vendimet e Këshillit të BE-së. Statusi i Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve është qëndrim i BE-së, i cili nuk ka ndryshuar” ka thënë Stano.

Në pyetjen se çfarë të drejte ka BE-ja të ftojë Kosovën të mos hapë apo të hapë diku ambasadën, kur Kosova nuk ka raporte diplomatike me BE-në, dhe nuk ka delegacion diplomatik në BE, Stano ka përsëritur qëndrimin se për shkak të mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare, nuk ka unitet rreth statusit të Kosovës, prandaj raportet me Kosovën janë çfarë janë dhe kontaktet si vend partner janë të rregullta.

“Ne nuk kërkojmë nga Kosova të bëjë apo të mos bëjë diçka. Por themi se nëse pretendoni se keni qëllim strategjik integrimin në BE, atëherë ekziston korniza në bazë të së cilës duhet të veproni. Pra, vetëm themi se ju duhet të veproni në bazë të asaj që vetë keni deklaruar” ka thënë mes tjerash ai.

Duke thënë se “perspektiva evropiane e Kosovës është reale e jo abstrakte“, Stano ka folur për ndihmën financiare të deritashme të BE-së në Kosovë “që nga viti 2007 e deri më sot BE ka investuar gati 2 miliardë euro për të ndihmuar Kosovën, për të përmirësuar jetën e kosovarëve, infrastrukturën etj”.

“Nuk besoj se ndokush tjetër ka investuar aq shumë në Kosovë”.

Në fund zëdhënësi Stano ka thënë se “nëse nuk i përmbushni kushtet as mos e ëndëroni evropën!”

Similar articles