Home Lajme KOSOVË Ministria ndryshon kalendarin Shkollor, SBASHK- u dhe ekspertët kundërshtojnë zgjatjen e mësimit...

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se kalendari shkollor ka pësuar ndryshime pasi që ky vit ka nisur me dy javë vonesë, si dhe disa ditë janë humbur si pasojë e pandemisë.

Sipas MASHT, ky vit shkollor do të përfundojë me 7 Qershor 2021. Këtë vendim të ministrisë nuk po e përkrahin njohës të çështjeve të arsimit dhe përfaqësues të Sindikatës së Arsimit, të cilët vlerësojnë se ka qenë një vit shumë i vështirë dhe kjo shtyrje nuk do të ketë asnjë efekt në përmirësimin e procesit mësimor.

Ministria e Arsimit në vendimin e fundit ka bërë të ditur se për shkak të vonesës së fillimit të vitit të ri shkollor 2020/21 dhe ditëve të humbura si pasojë e pandemisë, kalendari shkollor ka pësuar ndryshime për sa i përket përfundimit të vitit shkollor në arsimin parauniversitar. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën kanë bërë të ditur se për klasën e 12, maturantët, mësimi do të përfundojë me 2 qershor 2021, për klasën e 9, 10 dhe 11 me datë 24 Qershor dhe për parafillorët dhe klasat 1- 8 mësimi do të përfundoje me 7 korrik.

Vendimin për zëvendësimin e ditëve të humbura në fillim të muajit korrik po e kundërshtojnë njohës të çështjeve të arsimit. Në një përgjigje për Radio Kosovën njohësi i kësaj fushe, Mustafe Kadriu, tha se këto ditë që do te zëvendësohen janë krejtësisht të paefektshme për arsye se ka qenë një vit i stërzgjatur dhe ngritja e temperaturave ndikon në uljen e koncentrimit.

“ Vazhdimi i procesit mësimor në muajin korrik është krejtësisht i paefektshëm. Janë shumë arsye pse e them këtë, ngase është një vit i stërzgjatur si për mësimdhënësit e në veçanti për nxënësit. Mandej është problemi tjetër kur në muajin korrik rriten temperaturat dhe kjo ndikon në uljen e koncentrimit të nxënësve. Dhe problem tjetër është edhe koha e shkurtër që mbetet për përgatitjet për vitin e ardhshëm shkollor.

Se kjo periudhë e mësimit do të jetë e paefektshme, për arsye se ka qenë një vit i ngarkuar, e thotë për Radio Kosovën edhe Ymer Ymeri nga Sindikata e Arsimit.

“ Ka qenë një vit shumë i vështirë dhe vazhdimi deri me datë 7 korrik do të jetë një ngarkesë shumë e madhe për nxënësit. Është dashur të lihet në kompetencë të komunave nëse eventualisht ata e shohin zëvendësimin në ndonjë të shtune ose të punohet online. Vazhdimi deri me 7 korrik është ngarkesë dhe nuk do të ketë as një efekt pozitiv.”

Këtë vit shkollor e kanë përcjellë vështirësi të mëdha për sa i përket realizimit të planprogramit mësimor si pasojë e pandemisë, ku mësimi në kohë të caktuara është realizuar i kombinuar ose në platformën online.